AP

Anton Pançev

2
artikuj
2
revista
2015–2019
Revista: Studime Filologjike Gjurmime Albanologjike

Artikuj (2)

Ndikimi i gjuhës shqipe mbi të folmet e fshehta në Bullgari
Marrëdhëniet gjuhësore bullgaro-shqiptare janë hulumtuar nga shumë studiues, që janë marrë kryesisht me të folmen e Mandricës dhe me gjuhën e rilindësve shqiptarë në Bullgari, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër mund të themi se dominojnë hulumtimet mbi ndikimin e elementeve prej bullgarishtes në gjuhën shqipe. Interferenca midis këtyre dy gjuhëve ka përmasa dhe shtresa më të gjera, sepse edhe disa fjalë shqipe kanë hyrë në gjuhën bullgare, p.sh. caka/m që vjen nga fjala cak, ose cuca që vjen nga cucë2. Por, përveç fjalëve shqipe, relativisht të pakta në gjuhën standarde bullgare, ndikimi i shqipes shtrihet përtej këtyre shtresave gjuhësore dhe prek në mënyrë të gjerë një dukuri interesante gjuhësore – të ashtuquajturat të folme të fshehta. Shfaqja në jetën sociale e kësaj forme të të folmeve lidhet me nevojat profesionale dhe kulturore në hapësirën e gjerë ballkanike dhe përtej kufijve të saj. Zanatçinjtë, të cilët kanë shkuar në kurbet jashtë viseve të tyre, e kanë pasur nevojën që të flisnin midis tyre para punëdhënësve dhe klientëve të tyre pa u kuptuar nga të tjerët. Të bën përshtypje se bartësit e këtyre të folmeve kanë qenë kryesisht muratorë dhe në përgjithësi vendbanimet e tyre ndodheshin në rajonet malore ku kushtet për bujqësi nuk kanë qenë të volitshme dhe duhej të kërkonin mënyra të tjera për ta siguruar bukën për familjet e tyre3. Pra, lëvizjet e disa grupeve për shkaqe profesionale, e kanë krijuar këtë formë të sociolekteve.